Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Sala Jashari, ka kritikuar ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia, lidhur me mungesën e barnave onkologjike dhe gjendjen në sistemin shëndetësor.
Gjatë interpelancës së sotme në Kuvendin e Kosovës, e cila u thirr lidhur me vdekjen e një pacienteje me kancer që, sipas diskutimeve, kishte mbetur katër muaj pa terapi, Jashari tha se mungesa e barnave esenciale është problem që po vazhdon prej vitesh.
Ajo theksoi se interpelanca është iniciuar pas ankesave të shumta të qytetarëve për mungesën e barnave, veçanërisht atyre që përdoren në trajtimin e sëmundjeve malinje.
Jashari kërkoi që sigurimi i barnave dhe përmirësimi i kushteve në shëndetësi të jenë prioritete reale buxhetore, duke theksuar se pacientët nuk duhet të detyrohen të sigurojnë vetë terapitë që u nevojiten.
“Ne duhet të punojmë dhe të angazhohemi që asnjë pacient me kancer të mos zgjohet në mëngjes me shqetësimin nëse atë ditë do ta ketë terapinë”, deklaroi ajo.
Duke iu drejtuar ministrit Vitia, deputetja përmendi rastin e pacientes që kishte pritur katër muaj për barnat e nevojshme.
“Për ju mund të jetë vetëm një tender që është vonuar, por për atë grua ishin katër muaj pritje të një bari, ndërsa sëmundja nuk pret”, u shpreh Jashari.
Në fund, ajo kritikoi Ministrinë e Shëndetësisë për mungesën e vazhdueshme të barnave esenciale, duke thënë se ky problem është i pranishëm që nga viti 2021 dhe se situata po përsëritet vit pas viti.







