Sistemi prokurorial ka shënuar përparim në transparencë, mbikëqyrjen e performancës dhe konsolidimin e qasjes ndaj krimeve të luftës gjatë vitit 2025. Megjithatë, siguria e prokurorëve, forcimi i mekanizmave të integritetit dhe besueshmëria e të dhënave vazhdojnë të kërkojnë angazhim.
Këto gjetje u prezantuan nga anëtari i Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), Milot Krasniqi, gjatë mbledhjes së këtij institucioni, ku paraqiti Raportin Vjetor për vitin 2025 për Zbatimin e Planit Strategjik dhe Planit të Veprimit të Sistemit Prokurorial.
Krasniqi tha se gjatë vitit 2025 është shënuar progres në disa fusha, duke veçuar rritjen e transparencës përmes transmetimit të drejtpërdrejtë të mbledhjeve të KPK-së, funksionalizimit të uebfaqes dhe publikimit të vendimeve e raporteve. Ai përmendi gjithashtu përgatitjen e shtatë raporteve për vlerësimin e performancës së prokurorëve, si dhe miratimin e strategjisë për krimet e luftës.
“Gjatë vitit 2025, lidhur me këtë dokument strategjik, konsiderohen avancimi i kornizës ligjore dhe institucionale.. Një arritje tjetër është rritja e transparencës. Është avancuar publikimi i informatave përmes transmetimit të drejtpërdrejtë të takimeve të këshillit, funksionalizimit të uebfaqes që ka ndodhur më 6 tetor të vitit 2025, si dhe publikimit të vendimeve, statistikave, raporteve, dhe aktiviteteve të tjera të këshillit dhe strukturave të tjera të sistemit prokurorial. Një arritje tjetër konsiderohet edhe mbikëqyrja e performancës dhe llogaridhënies. Janë përgatitur gjithsej 7 raporte gjatë vitit 2025, lidhur me vlerësimin e performancës, për 7 grupe të ndryshme të prokurorëve. Një arritje tjetër konsiderohet edhe luftimi i krimeve të luftës. Është përgatitur dhe miratuar strategjia për krimet e luftës, si një hap fillestar për konsolidimin e qasjes institucionale ndaj hetimit dhe ndjekjes së këtyre veprave penale të rënda”, tha ai.
Përkundër këtyre arritjeve, Krasniqi bëri të ditur se raporti ka evidentuar edhe një sërë sfidash me të cilat përballet sistemi prokurorial.
Sipas tij, gjatë vitit 2025 nuk janë realizuar disa matje dhe analiza që lidhen me sigurinë e prokurorëve. Ai theksoi gjithashtu nevojën për avancimin e kornizës ligjore dhe institucionale në fushën e vlerësimit të performancës, disiplinës dhe integritetit.
Si sfidë tjetër u identifikua edhe besueshmëria e të dhënave në Sistemin për Menaxhimin Informativ të Lëndëve (SMIL), për të cilin kërkohen verifikime shtesë dhe harmonizim më i mirë me raportet manuale.
“Gjithashtu, kemi edhe disa sfida. Siguria e prokurorëve janë evidentuar edhe të dhënat sa i përket sigurisë së prokurorëve. Ajo që ndoshta i mbetet si punë këshillit është që disa matje, disa analiza për këtë kategori, pra që të zhvillohen, sepse nuk janë kryer gjatë vitit 2025. Korniza e performancës dhe integritetit nevojitet zhvillim i mëtejshëm ligjor dhe institucional i sistemit të vlerësimit të performancës, disiplinës dhe integritetit. Besueshmëria dhe përdorimi i SMIL-it ka vazhduar të rritet saktësia e të dhënave në përdorimin e sistemit SMIL, mirëpo kërkohen edhe verifikime shtesë dhe krahasim, sidomos me raportet manuale, pra që të ketë përputhje më të mirë ndërmjet këtyre dy sistemeve”, tha ai.
Në mbledhjen e KPK-së që po mbahet të premten do të diskutohen 22 pika të ndryshme.




