Për tri ditë me radhë, nga 10 deri më 12 nëntor, është mbajtur punëtoria e Grupit Punues për hartimin e Planit të Veprimit 2027–2029, në kuadër të procesit të hartimit të Strategjisë Kombëtare për Mbrojtje nga Dhuna në Familje, Dhuna ndaj Grave dhe Dhuna me Bazë Gjinore 2027–2031.
Sipas njoftimit të Ministrisë së Drejtësisë, punëtoria është organizuar nga Zyra e Koordinatorit Kombëtar dhe ka përfshirë sesione të ndara në katër objektivat strategjike, me pjesëmarrjen e nëngrupeve përkatëse.
Gjatë ditës së parë, diskutimet janë përqendruar në politikat e integruara dhe parandalimin, ndërsa dita e dytë i është kushtuar objektivit për mbrojtjen.
Në ditën e tretë, punimet janë fokusuar në ndjekjen penale.
Qëllimi i këtyre takimeve është përcaktimi i masave dhe aktiviteteve konkrete për zbatimin e objektivave strategjike, si dhe forcimi i koordinimit ndërmjet institucioneve dhe akterëve përkatës.
“Plani i Veprimit 2027–2029 do të përcaktojë hapat konkretë për zbatimin e Strategjisë Kombëtare 2027–2031, me synimin e forcimit të mekanizmave institucionalë për parandalimin dhe trajtimin e dhunës në familje, dhunës ndaj grave dhe dhunës me bazë gjinore”, theksohet në njoftim./teve1.info/








