Vetëm një listë studentore mund ta rrëzojë kryeministrin Albin Kurti nga pushteti, ka vlerësuar analisti politik, Xhavit Drenori.
Ai ka thënë se partitë opozitare aktualisht nuk përbëjnë një alternativë politike ndaj Kurtit, duke theksuar se Kosovës i mungon një lider që gëzon besimin e qytetarëve dhe që mund të krijojë një balancë të re politike.
Drenori ka vlerësuar se një listë studentore mund ta sfidojë pushtetin e Kurtit, por sipas tij, kjo mund të ndodhë vetëm pas disa vitesh.
“Neve po na duhet ku me gjet një lider që i beson dikush për me u bë një balancë politike. Përndryshe, ta thashë me vetëdije të plotë atë që vetëm një listë studentore mundet me e rrëzuar Kurtin, edhe atë vetëm pas disa viteve, se tani për tani hiç e hiç, aq sa subjektet politike opozitare nuk janë kërkah”, ka deklaruar ai.
Ai ka shtuar se problemi më i madh në shoqërinë kosovare është mungesa e një alternative politike, duke theksuar se qeverisja aktuale nuk është në nivelin e duhur.
“Problemi më i madh në këtë shoqëri është mungesa e një alternative politike, pasi qeverisja aktuale nuk është aspak e mirë, madje është shumë larg të qenit e tillë”, ka përfunduar Drenori./teve1.info/




