Prej të premtes deri të dielën në Zagreb të Kroacisë do të mbahet gara Grand Prix e xhudos derisa Kosova në këtë garë do të paraqitet me gjashtë xhudistë.
Te xhudistet garojnë Erza Muminoviq në kategorinë deri 48 kilogramë, Fatjona Kasapi në kategorinë deri 52 kilogramë dhe Flaka Loxha në kategorinë deri në 57 kilogramë.
Akil Gjakova e Dardan Cena garojnë në kategorinë deri 73 kilogramë, ndërsa në kategorinë deri 81 kilogramë për Kosovën paraqitet Luke Davies. Anglezi Davies në fakt debuton për Kosovën.
21-vjeçari ka prezantuar Britaninë e Madhe deri më tani, ndërsa ka karrierë solide. Ai ka shprehur dëshirë për të rritur paraqitjen sportive duke u bashkuar me ekipin e Kosovës në xhudo. Dhe gara në Zagreb do të jetë një test i mirë për të.
Për xhudistët kosovarë në fakt secila garë tashmë ka rëndësi të madhe. Ka filluar periudha kualifikuese për Lojërat Olimpike “Los Angeles 2028” dhe secila fitore ka peshë sa i takon grumbullimit të pikëve.
Akil Gjakova e kërkon paraqitjen e tretë në Lojëra Olimpike, ndërsa paraqitjen e parë në skenën më të madhe e synojnë Cena, Muminoviq, Kasapi e Loxha.
E arta në Grand Prix siguron 700 pikë në ranglistën botërore. Kosova në Zagreb do të jetë pa dy xhudistet më të mira, Distria Krasniqi e Laura Fazliu. Krasniqi është duke sanuar një lëndim, ndërsa për Fazliun është vendosur që të pushojë.









