Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka dhënë një intervistë për mediumin francez Radio France Internationale (RFI), gjatë vizitës së tij në Paris, ku po merr pjesë në Forumin e Paqes.
Sipas njoftimit të RFI-së, Kurti ka folur për synimin e Kosovës për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian, si dhe për mundësinë e normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë.
Në njoftimin e mediumit francez thuhet se kryeministri kosovar shpreson për normalizimin e raporteve me Serbinë, pas humbjes zgjedhore të Aleksandar Vuçiq.
“Gjatë vizitës së tij në Paris për Forumin e Paqes, udhëheqësi kosovar thekson dëshirën e vendit të tij për t’u bashkuar me Bashkimin Evropian. Ai shpreson për një normalizim të marrëdhënieve me Serbinë, pas humbjes zgjedhore të nacionalistit Aleksandar Vuçiç”, thuhet në njoftimin e RFI-së.
Ndërkaq, sipas njoftimit të Zyrës së Kryeministrit, gjatë intervistës Kurti e ka cilësuar Kosovën si një rrëfim të dyfishtë suksesi: së pari, për ndërhyrjen dhe ndihmën humanitare të faktorëve ndërkombëtarë para 27 vjetësh, kur vendi u çlirua, dhe së dyti, për faktin se demokracia dhe zhvillimi po ecin paralelisht.
Ai ka theksuar gjithashtu se Kosova renditet ndër vendet e para në Ballkanin Perëndimor sa i përket luftimit të krimit të organizuar dhe korrupsionit, sundimit të ligjit dhe transparencës institucionale.
“Në Ballkanin Perëndimor, jemi ose të parët ose të dytët sa i përket luftimit të krimit të organizuar dhe korrupsionit, sa i përket sundimit të ligjit dhe transparencës institucionale, ndërkaq kemi rritje të vazhdueshme ekonomike mbi 4% të Bruto Produktit Vendor”, ka deklaruar Kurti.
Gjatë intervistës, kryeministri ka folur edhe për synimin e Kosovës për të marrë statusin e vendit kandidat dhe për të hapur negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, si dhe për anëtarësimin në NATO dhe marrëdhëniet me Serbinë./teve1.info/







