Shërbimi Korrektues i Kosovës ka bërë të ditur se zyrtarët korrektues kanë parandaluar futjen e një thike në Qendrën e Paraburgimit në Prishtinë.
Sipas njoftimit, gjatë kontrollit të rrobave në hyrje të sallës së vizitave, në të njohur si “Porta Zero”, zyrtarët kanë zbuluar një thikë të fshehur në mënyrë të kamufluar brenda një xhakete. Mjeti i mprehtë dyshohet se ishte destinuar për një person të burgosur.
Pas zbulimit të thikës, vizita është anuluar, ndërsa për rastin është njoftuar edhe Policia e Kosovës.
Shërbimi Korrektues i Kosovës ka bërë të ditur se rasti është trajtuar në përputhje me procedurat përkatëse.
“Shërbimi Korrektues i Kosovës vazhdon të zbatojë kontrolle dhe masa të rrepta sigurie për të parandaluar futjen e sendeve të ndaluara në institucionet korrektuese”, thuhet në njoftim.







