Avokatja e familjes së Diana Kastratit ka thënë se do të kërkojnë që i akuzuari Adonon Jashari të ballafaqohet me drejtësinë.
Ajo pas ndërprerjes së seancës fillestare për këtë rast, ka thënë se presin që drejtësia të sigurojë prezencën e të pandehurit.
“Proces i vonuar dhe presim që ky proces të zbardhë këtë vrasje tragjike. Ky gjykim do të zhvillohet në mungesë dhe presim nga drejtësia e Kosovës që të siguroj prezencën e të pandehurit. Do të jetë një kërkesë e vazhdueshme që i pandehur të ballafaqohet me drejtësinë”, ka thënë ajo.
Ndërsa, babai i Diana Kastratit tha se është vonuar drejtësia.
“Drejtësi e vonuar besojmë dhe shpresojmë që ta merr epilogun e merituar”, tha ai.
Seanca e shqyrtimit fillestar për rastin e vrasjes së Diana Kastratit është ndërprerë më kërkesë të palës së mbrojtjes.
Seanca e radhë është caktuar më 23 dhjetor.
Në fillim të seancës, avokati i të akuzuarit, Adonon Jashari, u ankua për mostrajtim të duhur si palë në procedurë .
Ai ka thënë se aktakuzën e ka marrë sot nga Gjykata, e cila daton nga viti 2023./teve1.info/









