Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka vizituar në Paris kampusin e teknologjisë dhe inovacionit “STATION F”, që konsiderohet inkubatori më i madh në botë për startup-e.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Kurti ka bërë të ditur se gjatë vizitës është takuar me përfaqësues të kompanive që zhvillojnë platforma të inteligjencës artificiale, teknologji për administratën publike dhe sisteme autonome për mbrojtjen e infrastrukturës detare.
Ai ka theksuar potencialin e sektorit të teknologjisë së informacionit dhe komunikimit (TIK) në Kosovë, i cili, sipas tij, aktualisht përbën 6 për qind të Bruto Produktit Vendor.
“TIK është nga sektorët më dinamik të ekonomisë sonë dhe aktualisht përbën 6 për qind të Bruto Produktit Vendor. Potenciali është më i madh se kaq, andaj ndërtimi i një ekosistemi, krahas bashkëpunimit, shkëmbimeve, përvojave dhe partneriteteve me eskpertë e qendra të tilla, i shërben përmbushjes së tij”, shkruan ndër të tjera Albin Kurti.




