Nga e hëna, në këtë objekt në Prizren pritet të drejtohen shumë veteranë të UÇK-së.
Ata do të mund të aplikojnë për të përfituar transport urban pa pagesë.
Kjo mundësi vjen pas marrëveshjes së arritur në mes degës së Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së dhe Komunës së Prizrenit.
Nga kjo marrëveshje pritet të përfitojnë mbi 2 mijë veteranë, por edhe familjarët e tyre.
“Pasi që në Prizren është funksionale trafiku urban dhe në këtë drejtim ne kemi arritur një marrëveshje që të gjithë familjarët, jo veç veteranët apo familjarët e dëshmorëve apo invalidëve, domethënë edhe familjarët e tyre kanë të drejtë domethënë të lëvizin falas me kartela të cilat do të pajisen në ditët në vijim, duke e ditur që prej të hënës ne fillojmë edhe me aplikimin, domethënë të gjithë veteranët duhet të lajmërohen në zyrat tona dhe ne e bëjmë listën dhe e dërgojmë në Kuvendin Komunal”, thotë Isa Berisha nga OVL-UÇK.
Për të përfituar nga kjo mundësi, veteranët duhet të paraqiten në zyrat e OVL-UÇK-së në Prizren.
“Prej të hënës të gjithë veteranët duhet të vijnë në zyrat tona të OVL-UÇK-së, duhet të ketë kartelën me afat dhe të sjellë certifikatën e gjendjes familjare, duke e ditur që gjendet një certifikatën e gjendjes familjare jam edhe familjar i ngushtë, kështu që përmes këtyre të dy dokumenteve vijnë tek ne në zyrat tona dhe ne e bëjmë aplikimin dhe mandej pajisen me kartelën”, shprehet Berisha.
Ndërkaq, për të shmangur keqpërdorimet, kartelat që do t’u ndahen përfituesve do të jenë të pajisura me çip.
“Të gjithë ata të cilët aplikojnë do të pajisen me kartela të cilat do të kenë edhe chipin, pasi që nuk mund të keqpërdorin edhe anëtarë të tjerë domethënë nuk mund të bëjnë ndonjë keqpërdorim me këto kartela duke e ditur se në këto kartela shënohen edhe emrat e anëtarëve të familjes dhe nuk mund të ketë keqpërdorime më, domethënë nuk mund të t’i kesh përdorin edhe anëtarë të tjerë domethënë këto kartela”, sqaron ai.
Përndryshe, kjo iniciativë është mirëpritur nga veteranët.






