Pajisjet i ka gati dhe punën e nis çdo mëngjes në orën 08:00.
Me këto mjete, Ardian Rrudhani kujdeset për largimin e mbeturinave nga rrugët e fshatrave që kalojnë në Shalë të Bajgorës.
Por këtë punë nuk po e bën i vetëm.
Prej tre muajsh, në këtë angazhim i është bashkuar edhe bashkëshortja e tij, Florentina.
E gjithë kjo punë po iu mundësohet nga financimi i një mërgimtari që jeton në Gjermani.
“Ky është vetëfinancim i një mërgimtari. Është nga Gjermania. Punën e bëjmë prej orës 08:00 deri në 16:00, si zakonisht. Mirë është, gjithçka është në rregull. Pastërtia po mbahet shumë mirë. Nuk e di, domethënë, Shala e Bajgorës ka më shumë se 20 fshatra. Domethënë, nuk e kemi vetëm rrugën rajonale, tunelin e parë dhe Kaçanollën, por i kemi edhe këtu katundet për sipër, domethënë, edhe të tjerat”, thotë Ardian Rrudhani.
Puna e çiftit, bëhet më e vështirë gjatë sezonit të verës.
“Këtë hapësirë kemi arrit për 10 muaj me pastru e pastaj me mirëmbajt ajo kërkon ton kohen, por me pa ju se si ka qenë dmth deponitë ma herët nuk besoni. Kur është sezoni i mërgimtarëve, unë nuk dua ta fyej askënd, as nuk dua, por vetë sezoni i mërgimtarëve ka bërë që të vërehet se edhe trafiku është i ngarkuar. E lëre më, pasi kjo pjesë është turistike. Tash vijnë turistë nga e gjithë Kosova këtu. Edhe ka shumë mbeturina. Verës, po të mos dalësh vetëm një ditë, i vëren menjëherë mbeturinat, sepse rruga është shumë e kalueshme dhe ka shumë turistë”, thotë ai.
Rrudhani thotë se banorët e kanë mirëpritur këtë angazhim.
Mirëpo, ai nuk është i kënaqur që thirrjet e tij për të mos hedhur mbeturina, nuk po respektohen tërësisht.
“Sa i përket Shalës, Shaljanët e ruajnë vendin e vet, normalisht, gjithkush e ruan vendin e vet. Por ka edhe turistë dhe ti nuk mund t’i thuash askujt ti i gjuajte mbeturinat”, shprehet Rrudhani.
Ardiani ka edhe një ankesë për ata që vijnë të marrin ujë në krojet e Bajgorës.
Mirëmbajtjen e pastërtisë në Shalë të Bajgorës, Ardian Rrudhani po e bënë prej një viti e gjysmë.






