Kryenegociatori i Kosovës në Bashkimin Evropian, Jeton Zulfaj, ka folur për procesin e integrimit evropian, duke thënë se situata në veri të vendit është stabilizuar, por se Bashkimi Evropian nuk e përmend këtë si sukses të Kosovës.
Ai ka rikujtuar se në raportet e mëparshme të Progresit, gjendja në veri ishte vlerësuar si shqetësuese dhe stabilizimi i saj ishte paraqitur si një nga kërkesat për Kosovën.
“ Tash është rregulluar situata në veri të vendit dhe kjo nga BE-ja nuk përmendet si sukses, ndonëse dikur thuhej se gjendja në atë pjesë duhet të stabilizohej. Raportet e mëparshme të Progresit ishin të shqetësuara me gjendjen në veri”, ka deklaruar Jeton Zulfaj në emisionin “Këndi i Deabtit” në Tëvë1.
Zulfaj ka theksuar se Kosova nuk ka asnjë kriter të papërmbushur për të marrë statusin e vendit kandidat në BE.
“Nuk ka asnjë kriter që Kosova nuk e përmbush për ta marrë statusin e vendit kandidat. Tani është radha e BE-së që të flasë dhe të veprojë. Unitetin duhet ta gjejnë ata”, ka deklaruar Zulfaj.








