Pesë persona kanë humbur jetën dhe më shumë se dhjetë të tjerë janë plagosur gjatë një sulmi me armë zjarri pasditen e sotme në sheshin kryesor të Krakovit në Poloni, ka konfirmuar policia.
Autori i sulmit hyri me makinë në shesh dhe filloi të qëllonte ndaj kalimtarëve të rastit. Oficerët e policisë e plagosën dhe e arrestuan atë, pas së cilës ai u dërgua në spital.
Sipas informacioneve më të fundit, mes të plagosurve janë edhe dy oficerë policie. Identiteti i autorit nuk është bërë ende i ditur, ndërsa motivi i sulmit mbetet i panjohur.
Ngjarja ndodhi pak pas orës 15:00 në Rynek Glowny, sheshi kryesor në qendrën historike të Krakovit, një nga destinacionet turistike më të famshme dhe më të vizituara në Poloni.
Sipas policisë, autori i sulmit hyri me automjet në sheshin e frekuentuar dhe filloi të qëllonte ndaj njerëzve.
Dëshmitarët u përshkruan mediave polake një makinë të zezë, nga e cila u hap zjarr. Transmetuesi publik polak TVP raportoi se automjeti në fjalë dyshohet të jetë një Subaru, megjithëse ky detaj nuk është konfirmuar ende zyrtarisht.
Gjatë ndërhyrjes, oficerët hapën zjarr ndaj autorit të dyshuar, duke e plagosur atë. Policia e Voivodeshipit të Polonisë së Vogël (Małopolska) konfirmoi se sulmuesi është arrestuar dhe dërguar në spital. Sipas një raporti të France 24, ai u kap ndërsa po përpiqej të arratisej.








