Qytetarët u mblodhën sërish pasditen e sotme për të protestuar para Kryeministrisë. Rreth orës 17:00 aktivistë, të rinj dhe qytetarë të ndryshëm u grumbulluan në bulevard për të kërkuar edhe sot dorëheqjen e Edi Ramës dhe kabinetit të tij qeveritar.
Nga ana tjetër ata refuzojnë dialogun me kryeministrin. Sot Rama bëri publike dhe një platformë online për të komunikuar me të.
Ndërkohë nga ana tjetër protestuesit bëjnë thirrje për këdo të bashkohet dhe të mos frikësohet nga kërcënimet e pushtetit dhe gjobat që policia po vendos.
Qytetarët gjithashtu po bëhen gati edhe për protestën e ditës së nesërme (e shtunë), që do jetë kombëtare, në orën 14:00 te Ministria e Arsimit.
Më herët, do të jetë Partia Demokratike që do të mbledhë mbështetësit e saj në ora 12:00 te Kryeministria. /TCH











