Rreshtuar në karrige, po presin momentin për të nisur një kapitull të ri në jetën e tyre.
Nga mesdita e së premtes, mbi supet e këtyre djemve dhe vajzave, do të bien përgjegjësi krejt të tjera.
Pas shumë problemeve të raportuara, edhe ceremonia e diplomimit të tyre, më në fund është gati.
Behët fjalë për gjeneratën e 63-të të Policisë së Kosovës.
Nga kjo gjeneratë, të premten diplomuan 397 kadetë, ku 118 prej tyre ishin gra, dhe 297 burra.
Në ceremoninë e diplomimit morën pjesë edhe disa nga krerët e shtetit.
“Këtë ditë do ta mbani mend gjatë, ngase këtë po e mbyllni një kapitull të rëndësishëm të jetës suaj dhe filloni një kapitull tjetër, për të marrë përsipër një nga detyrat më të rëndësishme në shërbim të Republikës së Kosovës: të kujdeseni për sigurinë e qytetarëve të Republikës tonë, të mbroni jetën e tyre, të drejtat e tyre dhe ligjin që na bën të gjithëve të barabartë”, deklaroi kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu.
Mesazhe për policët e rinj, pati edhe kryeministri, Albin Kurti.
“Përfaqësimi i këtij institucioni është ndër përgjegjësitë më të larta e cila mund dhe duhet t’ju besohet juve. Shërbimi me integritet dhe profesionalizëm duhet të mbetet përherë prioritet. E virtytet, ideali dhe disiplina sigurisht që u janë forcuar. Gjatë kësaj por juve ju keni kaluar në fazat e provave, sfidave, e të mënyrave se si duhet qasur secila situatë dhe menaxhuar çdo detyrë. Asnjëherë mos i harroni mësimet dhe udhëzimet të cilët do t’ju udhëheqin gjatë mandatit e shërbimit tuaj”, tha Albin Kurti.
Për rolin dhe përgjegjësitë e reja, policëve të ri, ju foli ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla,
“Siguria dhe rendi. Ajo është një nga simbolet e qetësisë sonë, e besimit të qytetarëve dhe përpjekjes sonë për të ndërtuar një vend ku ligji vlen për të gjithë dhe ku secili qytetar ndihet i sigurt dhe i mbrojtur”, theksoi Sveçla.
Pas kësaj, radha i erdhi betimit të 397 policëve të ri.
E ceremonia zyrtare, përfundoi me hedhjen e kapelave.






