Prokuroria Themelore në Prishtinë ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit ndaj një personi me inicialet A.I., i dyshuar për kanosje ndaj një gazetareje me inicialet D.I.
Sipas njoftimit të Prokurorisë, i dyshuari është ndaluar për 48 orë me urdhër të prokurorit kujdestar, nën dyshimin e bazuar për kryerjen e veprës penale “Kanosja”.
Sipas dyshimeve fillestare, A.I. dyshohet se ka kanosur gazetaren D.I. për shkak të ushtrimit të detyrës dhe profesionit të saj.
Në kuadër të veprimeve hetimore, janë intervistuar si e dëmtuara, ashtu edhe i dyshuari, me qëllim të mbledhjes së informatave relevante për rastin.
Pas veprimeve hetimore, Prokurori i Shtetit ka paraqitur në gjykatën kompetente kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit.
“Prokuroria Themelore në Prishtinë mbetet e përkushtuar në mbrojtjen e gazetarëve dhe garantimin e sigurisë së tyre, si dhe në respektimin e plotë të lirisë së shprehjes”, theksohet në njoftim./teve1.info/







