Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës, Avni Arifi, e ka cilësuar si raport të regresit dhe jo të progresit Raportin e Komisionit Evropian për Kosovën.
Në emisionin “Info Nata” në Tëvë1, Arifi ka thënë se do të dëshironte që gjetjet e raportit të mos ishin të sakta, por sipas tij, ato pasqyrojnë gjendjen reale në vend.
Ai ka kritikuar Qeverinë Kurti për, siç pretendon, rritjen e korrupsionit, duke përmendur në veçanti importin e energjisë elektrike, të cilin e ka cilësuar si “masakrim të buxhetit të qytetarëve”.
“Është një raport i regresit dhe jo i progresit. Unë kisha dashur sot me e sfidu këtë raport dhe me thënë që është i pavërtetë dhe i pasaktë, por fatkeqësisht është i saktë. Kurti jo që nuk e ka prerë, siç thoshte korrupsionin, por e ka mbjellë akoma më shumë. Qeveria Kurti e ka rritur dhe e ka shumëfishuar korrupsionin”, ka deklaruar Arifi.
Ai ka ngritur shqetësime edhe për sektorin e energjisë, duke pretenduar se përfitime të mëdha nga importi i rrymës do të kenë kompani të lidhura me persona të afërt me kryeministrin Kurti.
“Çfarë po ndodh me importin e energjisë elektrike është masakrim i buxhetit të qytetarëve. Ende nuk e dimë se si do ta kalojmë këtë dimër, por një gjë e dimë: mafia energjetike do të fitojë shumë para, sikurse edhe të gjithë ata njerëz të Kurtit ose të afërt me të, që kanë hapur kompani. Ata do të përfitojnë shumë këtë dimër, ashtu siç kanë përfituar edhe më parë. Pra, jo vetëm që nuk e ka luftuar korrupsionin, por Raporti i Progresit po thotë se as që ka filluar ta luftojë atë. Nëse e lexon fjalinë ku thuhet se Kosova është në fazën parapërgatitore dhe se ka pak arritje”, ka thënë ai.
Duke komentuar deklaratat e Kurtit për luftimin e korrupsionit, Arifi ka thënë se ato janë në kundërshtim me qëndrimet e mëparshme të kryeministrit.
Sipas tij, Kurti më herët kishte deklaruar se në Qeverinë e tij nuk ka persona të korruptuar, ndërsa tani pranon se rezultatet në luftimin e korrupsionit në nivelet e larta nuk janë në nivelin e duhur.
“Si mund të thotë se rezultatet nuk janë aty ku duhet, ndërkohë që qytetarëve u thotë se e kemi ndalur korrupsionin? Pikërisht nga foltorja e Kuvendit ka deklaruar se askush në qeverinë time nuk është i korruptuar. Si është e mundur që atëherë thoshte se askush nuk është i korruptuar, ndërsa tani pranon se rezultatet në luftimin e korrupsionit nuk janë në nivelin e duhur? Si shpjegohet kjo?”, është shprehur Arifi.
Arifi ka kritikuar gjithashtu komunikimin e Qeverisë me partnerët ndërkombëtarë dhe ka vënë në pikëpyetje shifrat e rritjes ekonomike të prezantuara nga kryeministri Kurti, duke iu referuar të dhënave të përmendura në Progresraportin e Komisionit Evropian.
“Ne jemi përpjekur të arrijmë te secili qytetar dhe t’i tregojmë se po mashtrohet. Gjithçka që është duke bërë Lëvizja Vetëvendosje është mashtruese. Mashtruese janë edhe raportet me miqtë ndërkombëtarë, ndërsa nuk kemi njohje të reja. Në çdo takim që ka pasur, Kurti u ka thënë njerëzve se kemi shkallë të zhvillimit ekonomik prej 6 për qind, ndërsa Raporti i Progresit po thotë se ajo është 3.8 për qind”, ka përfunduar ai.
Ndryshe, sipas raportit të Komisionit Evropian për vitin 2026, Kosova vazhdon të ketë ngecje në reformat kryesore drejt integrimit evropian, me mungesë progresi në gjyqësor dhe rezultate të kufizuara në luftën kundër korrupsionit.
Megjithatë, Komisioni Evropian vlerëson se Kosova ka shënuar përparim në disa fusha, përfshirë administratën publike dhe zgjerimin e shërbimeve digjitale.
Po ashtu, në raport përmendet edhe shtensionimi i situatës në veri të Kosovës, i cili ka mundësuar heqjen e masave ndëshkuese të Bashkimit Evropian./teve1.info/








