Gjatë kohës së luftës, ishte pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Enver Hoti ishte shef i personelit të brigadës 122, dhe ndër anëtarët e parë të saj.
Kësisoj, Hoti, deklaron se ishte ndër të parët që kishte hasur në masakrën e Burimit në Malishevë.
Në gjyqin për krime lufte ndaj Ramadan Morinës, ai jep detaje se çfarë kishte parë në vendngjarje.
“Jam ndër njerëzit e parë bashkë me tre shokë të tjerë, që i kam pa ata viktima. I kam pa të vrarë, të masakruar dhe duke u djegur. Viktimat kanë qenë duke u djegur në rimorkio të traktorave, disa kanë qenë të shpërndarë me kafka të thyera, të prerë në qafë e të masakruar. Aty ka pas të moshës së re, mesme dhe moshës së vjetër” , tha Enver Hoti-dëshmitar.
Dëshmitari tregoi për dyshimet që kishte pasur ndaj Ramadan Morinës, për përfshirje të tij në këtë masakër.
“Edhe një element m’ka shti me dyshu se dy ditë para masakrës, ku unë si shef i personelit të brigadës 122 dhe Selim Krasniqi si shef i operativës, e kemi vizituar fshatin Carracarë për të komunikuar me banorët pasi që aty ishin të strehuar një numër i konsiderueshëm i banorëve të lokaliteteve përreth. Në komunikim e sipër për t’i bindur që mundësisht të largohen nga ajo trevë pasi që parashihej rrezikim nga forcat okupatore, nga banorët na është thënë se para jush kanë qenë dy persona, njëri nga të cilët ka fol në gjuhën shqipe dhe na ka thënë se ju duhet të qëndroni këtu, nuk keni kurfarë rrezikimi, vetëm mos lejoni që forcat e UÇK-së të futen mes jush. Nga përshkrimi i banorëve, ka qenë i ngjajshëm me pamjen fizike që ka pasur atëherë i akuzuari tash” , u shpreh ai.
E pas kohës së luftës, Hoti thotë se kishte informacione se Morina kishte ndërruar vendbanim.
“Ne e kemi hulumtu rastin, dhe e kemi kuptu që ka banu në Rahovec në afërsi të lagjes së serbëve” , u shpreh Hoti
Në këtë seancë, dëshmoi edhe Zejnie Morina.
Ajo ishte fqinje me të akuzuarin, para kohës së luftës.
Në masakrën e Burimit, asaj ia vranë bashkëshortin, ku pak minuta para se të ndodhte akti i ekzekutimit ajo kishte qenë në po atë vend.
“Na kanë shtri për toke, nër ni zit. Ni grue ka dit çka kanë thanë serbët edhe na tregoj që po thojnë dorëzonu, edhe na jena dorezu, na kanë plackit, edhe i kanë nda burrat. Dy i kanë lanë, e tjerët i kanë marrë. Masi jemi largu 100 metra i kanë pushkatu. I kena dëgju të shtënat rafall” , tha ajo.
Mirëpo, në këtë krim, ajo nuk e përfshin të akuzuarin, Ramadan Morina.
“Ai është i pafajshëm. Prej neve e në qat rrethinë, kërkush s’thotë keq. Çka po di po tham, se evlad me pasë, vlla me pasë kisha thane, tha Morina.
Ramadan Morina, në shqyrtimin fillestar ishte deklaruar i pafajshëm rreth akuzave për krime lufte.






