Një avion i Air Serbia, me destinacion Moskën, u detyrua të kthehej në Beograd të martën në mbrëmje, pasi autoritetet kërkuan kontrolle shtesë sigurie për një pasagjer.
Mediat serbe raportuan se bëhej fjalë për Aleksandar Vulin, aleat i afërt i Aleksandar Vuçiqit dhe ish-ministër i Brendshëm i Serbisë. Në bord ndodheshin edhe zyrtarë të tjerë serbë.
Sipas raportimeve, Vulin kishte hipur në avion pa përfunduar kontrollin e kërkuar të sigurisë. Pas kthimit në Beograd, të gjithë pasagjerët dhe bagazhet iu nënshtruan kontrolleve shtesë nën mbikëqyrjen e policisë.
Vulin i mohoi akuzat, duke e cilësuar incidentin si sulm të motivuar politikisht. Ai deklaroi se po udhëtonte drejt Moskës për bisedime zyrtare mbi marrëveshjen e gazit mes Serbisë dhe Rusisë, shkruan Anadolu.
Pas kontrolleve, avioni rifilloi udhëtimin dhe mbërriti në Moskë të mërkurën në mëngjes.








