Emocionet nuk po arrin t’i fshehë dot.
E dhimbja është e madhe edhe pas gati tri dekadash.
Kjo pasi të martën, familja Fazlija nga Skenderaj, mori një lajm të rëndësishëm.
Këta u njoftuan nga Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur, se mbetjet mortore të familjarit të tyre u identifikuan së fundmi.
Bëhet fjalë për mjekun, Fatmir Fazlija, i cili bashkë me 22 intelektual të tjerë, u vra dhe u varros brenda një varrit masiv në Zubin Potok.
“Dr. Fatmir Fazliu ishte ndër mjekët e parë në regjionin e Drenicës që ka shëruar plagë luftëtarëve të lirisë, kur UÇK-ja ishte në ilegalitet të thellë. Dr. Fatmir Fazliu ka shëruar plagë të Mujë Krasniqit, Abedin Rexhës, Sandokanit e shumë e shumë luftëtarëve”, thotë Genc Fazlija, familjar.
E shpresat së një ditë do ta gjenin të gjallë, nuk u shua kurrë në familjen Fazlija.
Genci, djali i axhës së Fatmir Fazlijës, thotë se besonin se ishte marrë peng nga forcat serbe.
“Doktori është ra në pritë të forcave serbe, por si familjarë të tij dhe në përgjegjësi familja kena shpresu që ai është marrë peng nga forcat serbe dhe është në Serbi”, shprehet ai.
Pavarësisht shpresës, familjarët thotë se ndjehen të lehtësuar që më në fund e kuptuan fatin e më të dashurit të tyre.
“Duke kujtuar sakrificën që e ka bo ai për këtë vend, neve na lehtësohen dhimbjet edhe kemi marrë forcë që t’i qëndrojmë kësaj dhimbjeje, ta kujtojmë gjithmonë me krenari, që së paku kur të varroset, ta kemi ku të çojmë lule”, thotë Genc Fazlija.
Ndryshe, në tri lokacione në Kalludër dhe Jabukë të Zubin Potokut, gjatë gërmimeve janë gjetur mbetje mortore të së paku 23 personave.
Deri më tani, gjashtë prej tyre janë identifikuar si pjesëtarë të Grupit të Intelektualëve.






