Këtë të martë u paraqiten në Prokurorinë Speciale.
Përfaqësues të Qendrës së Lëvizjes Vetëvendosje në Prishtinë dorëzuan materiale që lidhen me dy kontrata për ndriçimin publik.
Këto të fundit komuna i ka nënshkruar brenda nëntë muajve.
E para u nënshkrua në korrik të vitit 2024, në vlerë të parashikuar prej 1.5 milion eurosh.
Ndërsa në prill të vitit 2025, komuna nënshkroi një kontratë tjetër për projektin e ndriçimit “Smart”, kësaj here në vlerë prej 10 milionë eurosh.
Dyshimet lidhen me çmimet e pozicioneve të njëjta, të cilat sipas përfaqësuesve të LVV-së, në kontratën e dytë janë rritur shumëfish.
“Ne jemi të bindur se ka prova dhe fakte të mjaftueshme që bëhet fjalë për një kontratë abuzive, ku është dëmtuar buxheti i Komunës së Prishtinës. Siç e dini, për ndriçimin publik janë dy kontrata të cilat janë nënshkruar në një periudhë të ngushtë kohore”, ka thënë Sveçla.
Ndërkaq, deputeti Ilir Kërçeli i konkretizoi këto dallime edhe me shifra.
“Në këtë kontratë ka diferenca të mëdha të çmimeve, në krahasim me kontratën e parë të para nëntë muajve, ka pozicione të cilat nga 90 euro pas nëntë muajve janë rritur në 300 euro, dhe pozicione të tjera nga 50 euro me 250 euro nga kontrata e re. Është shumë e rëndësishme që Prokuroria Speciale t’i hetojë këto dy kontrata, sepse Komuna e Prishtinës paraprakisht e ka pasur një llogaritje se sa mund të jenë çmimet në treg”, u shpreh Kërçeli.
Rreth një orë pas dorëzimit të materialeve, Përparim Rama reagoi përmes një postimi në Facebook, duke e cilësuar veprimin e LVV-së si “shoë politik”
“Vetëvendosja e Prishtinës i paska kapë do letra e paskan shku edhe sot me bo një SHOË POLITIK para Prokurorisë. Votuesit tuaj ish dashtë me e pyet veten, a e keni sjellë ndonjë herë në Asamblenë e Kryeqytetit ndonjë propozim në të mirë të qytetarëve të Prishtinës apo keni hy në asamble me e lujtë hetuesin, prokurorin, gjyqtarin, policin, zëdhënësin?”, tha Rama.
Përndryshe, më 30 tetor Rama u intervistua nga prokuroria speciale edhe për projektin ‘’Arkitekti i kryeqytetit’’.



