Prokuroria për Krimin e Organizuar në Serbi i ka kërkuar Ministrisë së Drejtësisë të dorëzojë urgjentisht dokumentacionin dhe korrespondencën lidhur me vendimet për faljen e 49 personave nga ish-presidenti Aleksandar Vuçiq, emrat e të cilëve nuk janë bërë publikë.
Në një deklaratë të publikuar më 30 tetor, Zyra e Prokurorit Publik për Krimin e Organizuar bëri të ditur se i ka dërguar kërkesë Ministrisë së Drejtësisë, përkatësisht Sektorit për Çështje Normative dhe Procedurat e Faljes, me qëllim të verifikimit të informacioneve dhe deklaratave publike të bëra nga Vuçiqi lidhur me faljen e 49 personave.
Prokuroria kërkon që Ministria të sqarojë nëse pranë saj janë iniciuar procedura për falje dhe, nëse po, për cilët persona dhe në kuadër të cilave procedura janë zhvilluar ato.
Gjithashtu, është kërkuar dorëzimi i të gjithë dokumentacionit në dispozicion dhe i korrespondencës ndërmjet Ministrisë së Drejtësisë dhe kabinetit të atëhershëm të presidentit, që lidhet me përgatitjen e vendimeve për falje.
Kërkesa përfshin edhe aktet e ministrit të Drejtësisë për nisjen e procedurave të faljes sipas detyrës zyrtare, si dhe mendimet e arsyetuara të tij.
Në rast se Ministria nuk i posedon dokumentet e kërkuara, Prokuroria kërkon që të shpjegohen arsyet e mungesës së tyre dhe mënyra se si janë iniciuar dhe zhvilluar procedurat e faljes. Po ashtu, ka kërkuar që të dorëzohen edhe vetë vendimet e faljes, nëse ato ndodhen në posedim të Ministrisë.
Në prag të dorëheqjes nga posti i presidentit, Vuçiqi kishte marrë vendim për faljen e 49 personave, por nuk kishte bërë publikë emrat e tyre.
Ky vendim nxiti dyshime se në mesin e personave të falur mund të kishte edhe zyrtarë shtetërorë ndaj të cilëve po zhvilloheshin procedura penale.
Vuçiqi dha dorëheqje nga posti i presidentit për të marrë pjesë në garën për kryeministër si kandidat i Partisë Progresive Serbe (SNS). Zgjedhjet u mbajtën më 25 tetor, ndërsa sipas rezultateve paraprake, fitoren e siguroi Lista Studentore./The GeoPos/t




