Mbi katër muaj po protestohet në Shqipëri.
Për këto zhvillime ka folur për herë të parë edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje, ai ka thënë se Kosova i përcjell me shqetësim dhe përgjegjësi zhvillimet në Shqipëri.
Kurti ka përmendur edhe përplasjet e fundit mes protestuesve dhe forcave të rendit.
“Shqipëria që nga maji ka qenë e përfshirë në protesta. Tash në tetor pati përplasje mes protestuesve e forcave të rendit. Shqipërinë e duam gjithmonë. Zhvillimet atje i përcjellim me shqetësim, kujdes e përgjegjësi, e gjithsesi me dashuri”, tha Albin Kurti.
Kreu i Qeverisë ka folur edhe për pretendimet se Lëvizja Vetëvendosje është e përfshirë në organizimin e protestave në Shqipëri.
Ai ka thënë se partia që drejton tashmë është forcë qeverisëse dhe jo protestuese.
“Unë kam parë me habi zëra të ndryshëm që janë përpjekur t’ia faturojnë VV-së këto protesta në Shqipëri. Por, ne jemi forcë qeverisëse e jo protestuese. Edhe kur kemi qenë forcë protestuese, protestave iu kemi dalë në ballë e s’kemi qëndruar anonim. Kemi ndenjur larg instrumentalizimeve”, deklaroi Kurti.
Kurti ka komentuar edhe rezultatin e zgjedhjeve në Serbi.
Ai ka thënë se këto zgjedhje kanë sjellë rikonfigurim të skenës politike atje.
Sipas tij, ky ndryshim politik duhet të shoqërohet me ndryshim pozitiv të qasjes së Beogradit zyrtar ndaj Republikës së Kosovës.
“Një çerek shekulli pas humbjes së Millosheviqit dhe Sheshelit në fillim të shekullit XXI, edhe pasardhësit e tyre politikë, Vuçiqi dhe Daçiqi, humbën. Aktualisht, ne e dimë kush e ka humbur pushtetin në Serbi, por ende nuk e dimë kush e ka fituar atë. Shpresojmë që ky ndryshim politik të shoqërohet edhe me ndryshimin pozitiv të qasjes së Beogradit zyrtar ndaj Republikës së Kosovës dhe shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë”, theksoi Kurti.
Kreu i ekzekutivit foli edhe për rezultatin e koalicionit shqiptar në këto zgjedhje.
Ai tha se ky koalicion ka siguruar 27 mijë e 670 vota dhe dy mandate në Kuvendin e Serbisë.
Sipas Kurtit, ky është rezultati më i lartë i përfaqësimit politik shqiptar në Serbi që nga viti 2000.






