Gjykata Supreme e Kosovës ka shpallur të paligjshëm dhe ka shfuqizuar paragrafin 3 të nenit 17 të Udhëzimit Administrativ të Ministrisë së Punëve të Brendshme Nr. 05/2023 për Procedurat e Kundërvajtjes, i cili përcaktonte se patentë-shoferi mund t’i kthehej palës vetëm pas përfundimit të masës mbrojtëse të ndalimit të drejtimit të automjetit.
Vendimi është marrë pas padisë së 28 paditësve kundër Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Policisë së Kosovës, përmes së cilës ishte kërkuar shfuqizimi i pjesshëm i këtij akti nënligjor normativ.
Në njoftimin e saj, Gjykata Supreme ka bërë të ditur se kërkesëpadinë e ka aprovuar pjesërisht si të themeltë, duke konstatuar se mbajtja e përkohshme e patentë-shoferit nga policia dhe masa mbrojtëse e ndalimit të drejtimit të automjetit janë dy institute të ndryshme juridike.
Duke u bazuar në nenin 244 të Ligjit për Rregullat e Trafikut Rrugor, gjykata ka vlerësuar se mbajtja e përkohshme e patentë-shoferit nga policia nuk mund të zgjasë më shumë se tetë ditë.
Për këtë arsye, sipas Gjykatës Supreme, kushtëzimi i kthimit të patentë-shoferit deri në përfundimin e masës mbrojtëse, e cila mund të zgjasë tre, gjashtë apo dymbëdhjetë muaj, është në kundërshtim me ligjin.
“Një akt nënligjor nuk mund të zgjerojë kompetencat e përcaktuara me ligj dhe as të vendosë kufizime shtesë që nuk kanë bazë ligjore”, thuhet në vlerësimin e Gjykatës Supreme.
Ndërkaq, gjykata ka refuzuar si të pabazuar kërkesën për shfuqizimin e paragrafëve 1 dhe 2 të nenit 17 të këtij udhëzimi administrativ.
Sipas arsyetimit të gjykatës, këto dy dispozita kanë karakter procedural dhe organizativ, pasi përcaktojnë njësinë policore përgjegjëse për administrimin e patentë-shoferit dhe detyrimin për lëshimin e vërtetimit për marrjen e përkohshme të dokumentit.
Me këtë vendim, Gjykata Supreme ka bërë të qartë se mbajtja e përkohshme e patentë-shoferit nga policia nuk mund të zgjatet përtej afatit të përcaktuar me ligj, duke u bazuar në një udhëzim administrativ.







