Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, ka reaguar pas konferencës së përbashkët të Donika Gërvallës dhe Xhelal Sveçlës, ku u diskutua për rastin e Arlindës.
Pas deklaratave të tyre, se dorëheqjen nuk e shohin si zgjidhje, Hoti ka kritikuar qasjen e tyre, duke kërkuar përgjegjësi politike për rastin.
Përmes një reagimi në rrjetin social Facebook, Hoti ka thënë se dështimi i institucioneve nuk mund të arsyetohet duke u fshehur pas hallkave institucionale, pasi përgjegjësia, sipas tij, bie edhe mbi drejtuesit e tyre.
“Hallkat nuk dështojnë vetë. I dështojnë ata që i drejtojnë.
Gjashtë vjet në pushtet, zoti Sveçla. Gjashtë vjet përgjegjësi për mbrojtjen e grave, zonja Gërvalla.
Arlinda ju dërgoi sinjalet. Ju i latë të kalonin. Dhjetë minuta pas lënies në shtëpi nga organet e rendit, ajo ishte e vdekur.
Sot fshihuni pas ‘hallkave’. Por hallkat kanë emër. Kanë ministër. Llogaridhënia nuk është raport. Është dorëheqje”, ka shkruar Hoti.







