Manja Grçiq ka dhënë dorëheqje nga posti i drejtoreshës së përgjithshme të Radios dhe Televizionit të Serbisë (RTS), pas kërkesave për largimin e saj nga kandidatët e Listës së Studentëve dhe një pjese të punonjësve të transmetuesit publik.
Në një letër drejtuar Bordit të Drejtorëve të RTS-së, Grçiq tha se vendimin e kishte marrë pas shqyrtimit të rrethanave në të cilat po vepron shërbimi publik, duke vlerësuar se largimi i saj do t’i mundësojë institucionit vazhdimin e punës pa pengesa.
Ajo kërkoi që Bordi i Drejtorëve të ndërmarrë pa vonesë veprimet e nevojshme për të siguruar vazhdimësinë e menaxhimit dhe dorëzimin e rregullt të detyrave, ndërsa u shpreh e gatshme të bashkëpunojë gjatë këtij procesi.
Ndërkohë, Grçiq ka shkarkuar Bojana Mlladenoviçin nga pozita e redaktores së Programit Informativ dhe ka propozuar Borivoje Uskokoviçin si pasues të saj, konfirmoi RTS.
Nga ana tjetër, një grup prej 70 punonjësish të RTS-së ka propozuar gazetarin Jovan Memedoviq për drejtor të përkohshëm të transmetuesit publik.
Bordi i Drejtorëve pritet të mbajë një seancë elektronike për të shqyrtuar çështjet që lidhen me ndryshimet në drejtimin e institucionit.
Dorëheqja e Grçiqit vjen pas kërkesave për largimin e saj, të anëtarëve të tjerë të menaxhmentit dhe të redaktorit të programit informativ, të bëra nga kandidatët e Listës së Studentëve dhe një pjesë e punonjësve të RTS-së.







