Dhoma e Apelit e Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë ka miratuar pjesërisht kërkesën e mbrojtjes së Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit për zgjerimin e kufirit të fjalëve në njoftimet e apelit kundër aktgjykimit të shkallës së parë.
Sipas vendimit të publikuar më 28 tetor, gjyqtarët kanë lejuar që njoftimet e apelit të përmbajnë deri në 7 mijë fjalë, nga 3 mijë sa është kufiri i zakonshëm. Kështu, kërkesa e mbrojtjes për rritjen e këtij kufiri në 9 mijë fjalë është miratuar vetëm pjesërisht.
Në kërkesën e tyre, mbrojtësit kishin argumentuar se kompleksiteti i rastit dhe përmasat e aktgjykimit kërkojnë më shumë hapësirë për paraqitjen e bazave mbi të cilat do të mbështeten ankesat.
Në arsyetimin e vendimit, Dhoma e Apelit ka marrë parasysh se aktgjykimi i shkallës së parë, i publikuar më 16 shtator 2026, përmban 2.089 faqe dhe është më i gjati i nxjerrë ndonjëherë nga Dhomat e Specializuara.
Gjyqtarët kanë vlerësuar se kompleksiteti i çështjes e arsyeton një kufi më të lartë të fjalëve, në mënyrë që palët të kenë mundësi t’i paraqesin në mënyrë të qartë dhe kuptimplotë pretendimet e tyre.
Megjithatë, kërkesa për 9 mijë fjalë është konsideruar e tepruar. Sipas trupit gjykues, efektiviteti i një ankese nuk përcaktohet nga gjatësia e saj, por nga qartësia dhe cilësia e argumenteve.
Dhoma e Apelit ka sqaruar se njoftimet duhet të identifikojnë gabimet e pretenduara në aktgjykimin e shkallës së parë dhe zgjidhjen që kërkohet, ndërsa argumentet e detajuara duhet të paraqiten në parashtresat e apelit.
Afati i fundit për dorëzimin e njoftimeve të apelit është caktuar më 27 nëntor 2026.







