Kryetarja e Kuvendit të Republikës së Kosovës Albulena Haxhiu zhvilloi vizitën e saj të parë zyrtare jashtë vendit në këtë cilësi në Maqedoninë e Veriut.
Ajo u prit nga Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut Afrim Gashi i cili këtë e vlerësoj si një mesazh të miqësisë së sinqertë që lidh dy vendet.
“Riafirmuam përkushtimin për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet dy parlamenteve”-ka njoftuar Gashi në Facebook.
Gjatë takimit u diskutua për forcimin e bashkëpunimit parlamentar, shkëmbimin e përvojave, fqinjësinë e mirë dhe mbështetjen e Maqedonisë së Veriut për anëtarësimin e Kosovës në organizatat shumëpalëshe, si dhe për avancimin e agjendës evropiane të rajonit.
Haxhiu ka thënë se ka falënderuar Maqedoninë e Veriut për mbështetjen.
“Falënderova për mbështetjen që Maqedonia e Veriut i jep Kosovës në organizatat ndërkombëtare. Biseduam edhe për bashkërendimin e përpjekjeve tona në forumet parlamentare ndërkombëtare dhe për rrugën evropiane të dy vendeve”, ka shkruar Haxhiu. /teve1.info/







