Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka kërkuar formimin e një komisioni hetimor parlamentar për të shqyrtuar veprimet dhe mosveprimet e institucioneve në rastin e vrasjes së Arlinda Zekajt në Vitomiricë të Pejës.
Duke folur në seancën e Kuvendit të Kosovës, Sveçla ka bërë të ditur se pas marrjes së lajmit për vrasjen, ka kërkuar nga Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) të hetojë veprimet dhe mosveprimet e mundshme të zyrtarëve policorë në trajtimin e rasteve të raportuara nga viktima.
Megjithatë, ministri ka theksuar se përgjegjësia për këtë rast nuk duhet të kufizohet vetëm te Policia e Kosovës, por duhet të shqyrtohet edhe roli i institucioneve të tjera që kanë qenë të përfshira në trajtimin e rastit.
“Por pyetja tjetër që ka lindur është: Çka me institucionet e tjera? Me Prokurorinë, me Gjykatën, me Qendrën për Punë Sociale, e cila është në varësi të komunës, me Mbrojtësin e Viktimave, me vetë IPK-në”, ka deklaruar Sveçla.
Ai ka thënë se secili institucion duhet të japë llogari për përgjegjësitë që ka pasur, duke vlerësuar se Kuvendi mund të shërbejë si mekanizëm për të shqyrtuar në mënyrë gjithëpërfshirëse veprimet e institucioneve përgjegjëse.
“Kam kërkuar nga Parlamenti që të bëjë komision hetimor parlamentar, në mënyrë që të gjitha institucionet të vijnë para jush në komision dhe të japin llogaridhënie për veprimet apo mosveprimet e tyre”, ka thënë ministri.
Kërkesa për formimin e komisionit vjen pas vrasjes së Arlinda Zekajt, e cila, tri ditë para se të vritej, u ishte drejtuar institucioneve për të kërkuar mbrojtje dhe për të paralajmëruar për rrezikun ndaj jetës së saj.









