Të mërkurën, prej orës 16:00, në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë, do të mbahet protestë kundër vrasjes së grave.
Protesta do të zhvillohet me thirrjen “Vrasja e grave të trajtohet si urgjencë kombëtare”.
Në njoftimin për media, organizatorët kërkojnë pjesëmarrje qytetare dhe llogaridhënie institucionale pas vrasjes së Arlinda Zekajt në Pejë.
Sipas tyre, rasti dëshmon neglizhencën e institucioneve ndaj kërkesave të grave për mbrojtje dhe siguri.
“Nuk mund të vazhdojmë të jetojmë një normalitet të sforcuar kur gratë po dhunohen, rrahen e edhe vriten para syve tanë”, thuhet në njoftim.
Organizatorët kanë paralajmëruar protesta dhe bllokime të institucioneve të mërkurën, të enjten, të premten dhe ditëve në vijim.
Sipas njoftimit, protestuesit do të nisen nga sheshi “Zahir Pajaziti” drejt Ministrisë së Drejtësisë. Në itinerarin e paralajmëruar përfshihen edhe Këshilli Prokurorial, Këshilli Gjyqësor, Policia e Kosovës dhe Qeveria.
“Kërkojmë organizim e solidarizim kombëtar. Për siguri e liri për gratë e gjalla, e drejtësi për gratë e vrara. Na u bashkoni!”, thuhet në thirrjen e organizatorëve.







