Tetorin e vitit 2020 ende e ka të freskët.
Edhe pse kanë kaluar gjashtë vjet, Mirjeta Gutaj ende e kujton momentin kur mori lajmin se ishte prekur nga kanceri i gjirit.
Diagnoza erdhi pas një kontrolli që ajo e kishte bërë pa e menduar se mund të përballej me një sëmundje të tillë.
“E bëra një vetëkontroll të gjirit edhe e vërejta që është një pjesë e fortë në gjirin e djathtë. Mandej kisha një kontroll, te gjinekologia, ku i bëj kontrollet e rregullta dhe ajo me prekjen e vërejti që nuk është diçka në rregull. Mandej bëra kontroll me të thella edhe u pa që është një masë që duhej me analizumë thellë çka është dhe kështu që doli kancer malinj në gjirin e djathtë. Po fatmirësisht unë e vërejta herët”, thotw Mirjeta Gutaj e mbijetuar e kancerit të gjirit.
Ani pse po kalonte një periudhë të vështirë, Gutaj thotë se gjeti forcën për të vazhduar jetën.
“Ka qenë periudhë shumë e vështirë, sepse kimioterapitë janë, për ato që i kanë provuar është e vështirë. Nganjëherë ka momente kur njëri dorëzohet ose është në prag të dorëzimit edhe mendon a ja vlen, mirëpo prapë e kam gjetur forcën, kam luftuar, jam munduar me jetu normal, nuk e kam leju veten me ra në gjendje depresive apo diçka, thjesht gjithçka kam jetuar normal, kam dalë, kam hec, kam bërë sport, jam marrë me fëmijë, jam marrë me familjen, në mënyrë që mos me leju sëmundjen me me mujt në një farë mënyre. Fatmirësisht në vitin 2021, unë përfundova diku në qershor, përfundova kimioterapitë, pastaj kam vazhduar me rrezatim. diku në 21 seanca rrezatim, gjashtë terapie kimioterapi dhe kam vazhduar edhe me me terapi postkancer dhe vazhdoj ende”, thotë ajo.
E nga drejtori i Klinikes se Onkologjisë u bë thirrje që të shpeshtohet bërja e mamografisë.
“Femrat nga mosha 40 vjeçare bëjnë më shpesh mamografi dhe ultraza, për këtë arsye edhe sëmundjet malinje të gjirit sot i identifikojmë në më shumë se 50-64% të rasteve në stadet 0, 1 ose 2, dhe kjo përkthehet pastaj në jetëgjatësi dhe në një trajtim më të lehtë dhe më të mirë për pacientin. Por kjo, normalisht se nuk mjafto”, shprehet Ilir Kurtishi.
Ndërkaq, sipas Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike vetëm gjatë vitit 2025, në Kosovë janë raportuar 601 raste të reja të kancerit të gjirit.
“Rastet e reja të Kancerit të Gjirit të raportuara në regjistrin populativ të sëmundjeve malinje në Departamentin e Statistikave Shëndetësore në IKSHPK për vitin 2025 janë 601 raste ose 15.9 % nga të gjitha rastet e Sëmundjeve malinje të raportuara, prej të cilave 592 raste apo 15.7 % janë femra dhe 9 raste apo 0.2 % janë meshkuj”, thuhet nga IKShPK.
E bërja e mamografisë mund të realizohet falas në sistemin shëndetësor publik gjatë tërë vitit.



