Në ditën kur në Serbi po mbahen zgjedhjet, një autobus po transporton pjesëtarë të komunitetit rom nga Mitrovica drejt Serbisë për të votuar.
Krahas Mitrovicës, edhe nga Plemetini i Obiliqit po organizohet transporti i pjesëtarëve të komunitetit rom drejt Serbisë për të votuar.
Sipas një qytetari që ka folur për KosovaPress, një autobus që kishte transportuar një grup votuesish është kthyer sërish për të marrë grupin e dytë.
Sipas dëshmisë së tij, votuesve po u mbulohen shpenzimet e udhëtimit dhe po u premtohen nga 100 euro për të votuar për Partinë Progresive Serbe (SNS). Sipas pretendimeve, pagesa bëhet pas përfundimit të votimit.
Ndërkohë, burime brenda institucioneve të sigurisë kanë bërë të ditur se ndaj disa serbëve që jetojnë në Kosovë po ushtrohen presione dhe shantazhe për të votuar për partinë e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.
Sipas këtyre burimeve, votuesit janë udhëzuar se si të votojnë dhe u është thënë se ekzistojnë mekanizma për të verifikuar nëse kanë votuar për SNS-në.








