Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës kanë njoftuar qytetarët se kanë arritur vaksinat kundër gripit sezonal, pas shpërndarjes e tyre në të gjitha Qendrat e Mjekësisë Familjare. Sipas tyre, vaksinimi mbetet një nga masat më të rëndësishme për mbrojtjen nga gripi sezonal.
Shani dhe Suzana Muçaj kanë një dekadë që vaksinohen rregullisht kundër gripit sezonal.
Edhe sot, ata erdhën së bashku në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Prishtinë për t’u vaksinuar për këtë sezon, pas shpërndarjes së tyre në të gjitha qendrat e mjekësisë familjare. Ata thonë se vaksinimi ka ndikuar pozitivisht në përballimin e virozave.
“Nuk kam pasur asnjë problem me gripin, dimrin e kam kaluar shumë mirë dhe kam besim të plotë te vaksinimi”, ka thënë Shani Muçaj, pacient/qytetar.
“Këto mjaft efektive kanë qenë dhe mjaft të suksesshme përderisa ne i marrim, pasi e kemi edhe sezonin e gripit. Kemi një lehtësim të madh”. Ka thënë Suzana Muçaj, qytetare.
Edhe qytetarë të tjerë prisnin radhën për t`u vaksinuar.
“Vaksinat kundër gripit i marrim vazhdimisht. Dikush i nënçmon, por megjithatë janë sigurim i shëndetit dhe varet nga njerëzit se si e çmojnë atë çështje”, ka thënë Nevruz Nushi, qytetar.
Shefja e vaksinimit në këtë qendër, Xhevrije Canolli, tha se janë planifikuar 12 mijë doza të vaksinës për qendrat e mjekësisë familjare në Prishtinë, nga 75 mijë doza të siguruara nga institucionet përgjegjëse shëndetësore.
Sipas mjekëve, vaksinimi mbetet mënyra më efektive për parandalimin e gripit sezonal, pasi rastet e gripit janë rritur ndjeshëm gjatë kësaj periudhe.
“Vaksina e gripit përpunohet atë vit dhe merren antigjenet e atij viti, duke e rritur imunitetin e organizmit për t’u mbrojtur nga virusi me të cilin bien në kontakt pacientët. Zakonisht, këtë vit kemi hasur në një simptomatologji pothuajse të njëjtë te të gjithë pacientët, si kollë, vjellje dhe zënie të hundëve”, ka thënë Nesrije Paqarada, specialiste e mjekësisë familjare.
Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik dhe Ministria e Shëndetësisë u kanë bërë thirrje qytetarëve që të vaksinohen kundër gripit sezonal, veçanërisht të moshuarve, personave me sëmundje kronike dhe grupeve të tjera të rrezikuara. /RTK







