Mallra të padeklaruara me vlerë të përafërt prej 1 mijë e 200 eurosh janë zbuluar të premten nga Dogana e Kosovës, gjatë kontrollit të një automjeti me targa të Shqipërisë në pikën e kalimit kufitar në Vërmicë.
Sipas njoftimit të Doganës, automjeti ishte përzgjedhur për kontroll bazuar në analizën e riskut, ndërsa gjatë intervistimit, udhëtari nuk kishte deklaruar mallra për raportim te autoritetet doganore.
Pas dyshimeve të ngritura, zyrtari doganor e kishte udhëzuar udhëtarin që automjetin ta dërgonte në vijën e dytë të kontrollit, ku gjatë verifikimit më të detajuar u zbuluan 20 copë ngrohëse, me vlerë të përafërt prej 1,200 eurosh, pa përfshirë taksat doganore.
Mallrat janë ndaluar, ndërsa rasti do të trajtohet sipas procedurave administrative dhe legjislacionit në fuqi.
“Dogana e Kosovës vazhdon angazhimin për parandalimin e kontrabandës dhe të tregtisë së paligjshme, me qëllim të mbrojtjes së interesave ekonomike të vendit, garantimit të konkurrencës së drejtë ndërmjet operatorëve ekonomikë dhe zbatimit të njëtrajtshëm të legjislacionit doganor”, theksohet në fund të njoftimit./teve1.info/







