Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka njoftuar se është përmbyllur trajnimi për zhvillimin e liderëve të rinj ushtarakë në Qendrën “Marko Babić” të Ushtrisë Kroate, pas marshimit taktik prej 88 kilometrash nga Udbina deri te Kalaja e Kninit.
Për herë të parë, pjesë e këtij trajnimi ishte edhe Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK), me pjesëtarët e saj që u stërvitën së bashku me ushtarakë nga Kroacia, Sllovenia, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi.
Sipas Maqedoncit, ky ishte numri më i madh i pjesëmarrësve të huaj në këtë trajnim deri më tani.
Ministri bëri të ditur se marshimi përmbyllës kishte edhe domethënie simbolike, duke nderuar historinë dhe sakrificën e popullit kroat gjatë Luftës Atdhetare.
Ai theksoi se programi, i cili karakterizohet nga kërkesa të larta fizike dhe mendore, synon zhvillimin e qëndrueshmërisë, aftësive drejtuese dhe vendimmarrjes në rrethana sfiduese.
Maqedonci përgëzoi pjesëtarët e FSK-së për përfaqësimin e tyre, duke vlerësuar se kjo përvojë kontribuon në avancimin e aftësive profesionale të kuadrove ushtarake dhe në forcimin e bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Kroacisë.
“Falënderoj homologun tim, Ivan Anušić, dhe Ushtrinë Kroate për këtë bashkëpunim të rëndësishëm”, ka shkruar Maqedonci në një postim në Facebook./teve1.info/







