Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Hajrulla Çeku, në bashkëpunim me kryetarin e Këshillit të Prindërve të Kosovës, Besnik Dragusha, ka nisur ciklin e bashkëbisedimeve me prindërit në nivel vendi, në kuadër të hartimit të Strategjisë së Arsimit 2035+.
Në njoftim bëhet e ditur se, takimi i parë është mbajtur në Prishtinë, ku prindërit patën mundësinë të shprehin shqetësimet, të paraqesin propozimet dhe të japin rekomandime për të ardhmen e sistemit arsimor në Kosovë.
Ministri Çeku ka theksuar se arsimi është çështje që prek çdo familje dhe se përmirësimi i sistemit arsimor kërkon angazhim të përbashkët.
Sipas tij, përfshirja aktive e prindërve është thelbësore për të siguruar që shqetësimet dhe nevojat e tyre të merren parasysh në vendimmarrje.
Ndërkaq, kryetari i Këshillit të Prindërve të Kosovës, Besnik Dragusha, ka vënë në pah rëndësinë e përfshirjes së prindërve në proceset vendimmarrëse që lidhen me arsimin.
Ai ka theksuar gjithashtu rolin e Këshillit në përcjelljen e kërkesave, shqetësimeve dhe propozimeve të familjeve.
Gjatë takimit, prindërit kanë ndarë përvojat e tyre dhe ngritën çështje që lidhen me sfidat e nxënësve dhe familjeve në sistemin arsimor, duke ofruar ide dhe rekomandime për përmirësimin e tij.
“Cikli i bashkëbisedimeve do të vazhdojë edhe në qendrat e tjera rajonale të Kosovës, me synimin që prindërit nga mbarë vendi të kontribuojnë në strategjinë e re të arsimot, që do të përcaktojë drejtimin e zhvillimit të sistemit arsimor për dekadën e ardhshme”, theksohet në njoftim./teve1.info/







