Deputetja e PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi ka kritikuar ministrin për Punët e Jashtme të Kosovës Glauk Konjufcën për qëndrimin e tij në Këshillin e Sigurimit të OKB-së lidhur me aktgjykimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
Përmes një reagimi, Musliu-Shoshi ka vlerësuar se deklaratat e Konjufcës ishin të zbehta dhe të pamjaftueshme përballë dënimit prej 81 vjetësh burgim ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.
Ajo ka kritikuar Konjufcën që, sipas saj, u mjaftua me përmendjen e “gabimeve në përmbajtje dhe fakte” që pritet të korrigjohen në Apel, pa folur për rolin e ish-krerëve të UÇK-së në çlirimin, pavarësinë dhe shtetndërtimin e Kosovës.
“81 vjet burg për katër figura të luftës sonë çlirimtare meritojnë shumë më tepër sesa një shprehje shqetësimi!”, ka shkruar Musliu-Shoshi.
Deputetja e PDK-së ka theksuar se Konjufca, në cilësinë e përfaqësuesit të Kosovës, duhet të shprehë një qëndrim më të fuqishëm në mbrojtje të ish-krerëve të UÇK-së.
“Në Këshillin e Sigurimit nuk përfaqësoni një parti apo një qeveri. Përfaqësoni Republikën e Kosovës dhe historinë e saj!”, ka deklaruar ajo.
Në fund të reagimit, Musliu-Shoshi ka theksuar se, sipas saj, padrejtësia nuk kundërshtohet vetëm përmes deklaratave diplomatike, ndërsa e vërteta historike duhet të mbrohet me një qëndrim të qartë dhe të vendosur./teve1.info/







