Anëtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Naser Rugova, ka vlerësuar se kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka fituar peshë të konsiderueshme brenda partisë, duke veçuar edhe diskursin e tij opozitar ndaj qeverisjes aktuale.
I ftuar në emisionin “Info Nata” në TËVË1, Rugova ka folur për zhvillimet e brendshme në LDK, përfaqësimin e saj parlamentar me 18 deputetë dhe ambicien e Ramës për të garuar për kryetar të partisë.
Rugova tha se deklarimi publik i Ramës për synimin që të marrë drejtimin e LDK-së është legjitim dhe në përputhje me parimet demokratike të partisë.
“LDK-ja shquhet për një logjikë të respektimit të normave statutare të partisë, por edhe të demokracisë së brendshme. Në këtë kontekst e kam parë edhe deklaratën e z. Rama, i cili ka shprehur një ambicie legjitime dhe demokratike. Ai ka dalë hapur dhe publikisht ka thënë se ka ambicie të jetë njëri nga pretendentët për kryetar të LDK-së”, deklaroi Rugova.
Ai vlerësoi se Rama, gjatë javëve dhe muajve të fundit, ka zhvilluar një diskurs të theksuar opozitar ndaj qeverisjes aktuale, duke u shndërruar, sipas tij, në një nga figurat me peshë brenda LDK-së.
“Z. Rama, këto javë dhe muajt e fundit, ka zhvilluar një diskurs opozitar si njëri prej njerëzve me peshën më të madhe brenda LDK-së, sepse është kryetar i qytetit. Në kuptimin institucional, ai ka një pozitë menaxheriale, pasi është zgjedhur kryetar i Prishtinës, dhe ka bërë një diskurs opozitar”, u shpreh ai.
Rugova kritikoi edhe mënyrën se si, sipas tij, po funksionon opozita në nivel qendror, duke thënë se spektri opozitar nuk po arrin të jetë mjaftueshëm i pranishëm në përballjen me pushtetin.
“Fatkeqësisht, spektri politik opozitar është anemik dhe nuk është në nivelin e detyrës. Në veçanti, njëra nga partitë opozitare pothuajse nuk dëgjohet fare. Ndërsa në partinë time, LDK-në, kemi deklarime individuale, por nuk kemi një strategji të mirëfilltë opozitare ndaj mazhorancës dhe pushtetit aktual”, tha Rugova.
Ai theksoi se Përparim Rama, edhe pse nuk është pjesë e Kuvendit të Kosovës, ka arritur të artikulojë qëndrime dhe veprime opozitare ndaj qeverisë.
“Në fakt, për aktivitetin e tij politik gjatë muajve të fundit, mund të them se z. Rama i ka artikuluar në mënyrë mjeshtërore deklaratat dhe veprimet opozitare karshi qeverisjes aktuale”, përfundoi Rugova në “Info Nata” të TËVË1.







