Një person është ndaluar për 48 orë në Leposaviq, nën dyshimin për përfshirje në nxjerrjen e kundërligjshme të dokumenteve zyrtare të Republikës së Kosovës që lidhen me regjistrimin civil.
Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, i dyshuari me inicialet R.M. shfrytëzonte një kioskë në Leposaviq, ku ofronte shërbime për servisimin e telefonave celularë.
Pas pranimit të informatave nga Hetimet Rajonale të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Mitrovicën e Veriut, zyrtarët policorë kanë kryer kontrolle në këtë lokacion, me asistimin e Njësisë Rajonale të Forenzikës.
Gjatë kontrollit, policia ka sekuestruar përkohësisht pajisje elektronike dhe dokumente të ndryshme, të cilat dyshohet se kanë rëndësi për hetimin e rastit.
“Lidhur me rastin, përveç dy personave të tjerë, është intervistuar edhe i dyshuari R.M., në prani të avokatit mbrojtës”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.
Pas shqyrtimit të rrethanave të rastit, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim për ndalimin e të dyshuarit për 48 orë.
Policia ka bërë të ditur se rasti do të trajtohet nga Njësia për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Mitrovicën e Veriut, në koordinim me Prokurorinë Themelore në Mitrovicë.
Hetimet lidhur me rastin janë në vazhdim, ndërsa i dyshuari prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të vërtetohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.




