Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, u takua të hënën me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu gjatë një vizite të paparalajmëruar në Izrael, bëjnë të ditur dy burime me dijeni për Axios.
Vizita vjen tetë ditë para zgjedhjeve në Izrael dhe në një kohë kur Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli po diskutojnë mundësinë e rifillimit të operacioneve të mëdha luftarake kundër Iranit.
Sipas dy burimeve, takimi mes Hegseth dhe Netanyahut u zhvillua në Bazën Ajrore Ovda, në jug të Izraelit. Në këtë bazë janë të dislokuar aeroplanë amerikanë për furnizim me karburant, si dhe avionë luftarakë.
Gjatë vizitës, Hegseth u takua gjithashtu me trupat amerikane të vendosura në bazë, sipas një burimi që ka dijeni për zhvillimet dhe që foli për Axios.
Më vonë, sekretari amerikan i Mbrojtjes publikoi një fotografi nga vizita e tij te trupat e Komandës Qendrore të Shteteve të Bashkuara (CENTCOM). Kjo komandë është përgjegjëse për mbikëqyrjen e operacioneve ushtarake amerikane në Lindjen e Mesme, pjesë të Azisë Qendrore, Azisë Jugore dhe Egjipt.
Vizita e Hegseth vjen në një moment të ndjeshëm për sigurinë rajonale, ndërsa Uashingtoni dhe Tel Avivi shqyrtojnë hapat e mëtejshëm në raport me Iranin.








