Që nga 5 tetorit qytetarët mund t’i ndërrojnë operatorin pa pasur nevojë të ndryshojë numrin.
Krejt kjo, pas një vendimi të cilin e mori Autoriteti Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare.
E në dy javët e para, plot 1 mijë e 500 qytetarë, kaluan nga një operator telefonik në tjetrin.
Këtë për Tëvë1 e bëri të ditur vet ARKEP.
“Procesi i bartshmërisë së numrave zyrtarisht është lansuar më datë 5 tetor 2026, pas një periudhe të gjatë përgatitjesh, koordinimi dhe testimesh me operatorët, dhe që nga lansimi, procesi është duke u zhvilluar sipas planifikimeve, pa probleme teknike të theksuara apo vështirësi të tjera në zbatimin e tij. Sipas të dhënave zyrtare që disponon ARKEP-i, deri më tani mbi 1,500 klientë/konsumator të telefonisë mobile kanë shfrytëzuar mundësinë për të ndërruar operatorin, duke ruajtur numrin e tyre të telefonit”, kanë thënë nga ARKEP.
I gjithë ky proces sipas ARKEP është falas dhe pritet të rrisë konkurrencën ndërmjet operatorëve.
E ky vendim është mirëpritur edhe nga qytetarët.
“Në herët ka qenë ngarkesë më e madhe është zgjedhje e mirë se mund të kalosh nga ofertat, kështu e kanë të gjitha vendet e Bashkimit Evropian pse mos ta kemi edhe ne. Jo nuk e kam ndërruar por në momentin që e shohim të arsyeshme për arsye ekonomike edhe do të ndërroj”, u shpreh një qytetar.
Por ka edhe qytetarë të tjerë të cilët thonë se nuk janë informuar rreth këtij vendimi.
“Më se pari nuk jam i njoftuar në këtë ngjarje në këtë rrjedhe absolut, dy numra i kam pas njërin e kam larguar që 15 vite, Val e kam dhe nuk mendoj me nderru”, ka thënë qytetari tjetër.
E nga Operatori “Vala”, thonë se në ditët e fundit është rritur interesimi i qytetarëve për të kaluar në rrjetin e tyre.
“Jemi shumë të kënaqur me besimin që konsumatorët ekzistues vazhdojnë t’ia japin VALA-s, si dhe me interesimin e qytetarëve që kanë zgjedhur të bartin numrin e tyre në rrjetin tonë, duke shfrytëzuar mundësinë e bartjes së numrit.Këtë e shohim si dëshmi të besimit në cilësinë e shërbimeve tona, mbulueshmërinë e territorit me rrjet dhe ofertat që VALA u ofron konsumatorëve të saj”, ka thënë menaxheri i Komunikimit.
Për procesin e ndërrimit të operatorit pa e ndërruar numrin, Tëvë1 ka provuar të marrë një qëndrim edhe nga operatori “IPKO”.
Por ky operator, nuk ka kthyer përgjigje.






