Janë riaktivizuar tensionet dhe përplasjet në protestën e studentëve dhe gjimnazistëve në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në Tiranë.
Protestuesit po qëndronin të ndarë në dy grupe, njëri pranë Kryeministrisë dhe tjetri te Parku Rinia.
Pas mbërritjes së të rinjve të maskuar, të cilët u vendosën në krye të protestës, turma u zhvendos drejt Kryeministrisë për t’u bashkuar me grupin tjetër.
Situata u tensionua pas ndërhyrjes së policisë, e cila hodhi gaz lotsjellës, duke detyruar protestuesit të tërhiqeshin. Më pas, turma u drejtua për nga sheshi “Skënderbej”.
Ndërkohë, forca të Gardës së Republikës janë pozicionuar edhe në tarracën e Ministrisë së Brendshme.
Përplasjet vijuan në korpusin e ministrive, ku protestuesit hodhën gurë, ndërsa policia u kundërpërgjigj me gaz lotsjellës dhe granata zhurmuese.







