Sipas një artikulli të publikuar nga gazeta britantike “The Guardian“, eurodeputetja holandeze Tineke Strik ka kritikuar qeverinë shqiptare dhe kryeministrin Edi Rama për mënyrën se si po procedohet me projektin e resortit luksoz në zonën e mbrojtur Vjosë-Nartë, të lidhur me Jared Kushner dhe Ivanka Trump.
Strik pretendon se qeveria po përpiqet të përshpejtojë procedurat dhe të krijojë fakte të kryera përpara se të detyrohet të zbatojë plotësisht standardet mjedisore të Bashkimit Evropian.
Ajo e ka cilësuar këtë qasje si anashkalim të standardeve evropiane dhe ka kërkuar reagim më të fortë nga BE-ja.
Duke folur për gazetën Guardian, Strik akuzoi Ramën për përshkallëzimin e situatës duke ndjekur me kokëfortësi planet e mbështetura nga dhëndri i presidentit amerikan, Jared Kushner .
“Nëse qeveria shqiptare do ta kishte marrë seriozisht ‘Revolucionin e Flamingos’, ne nuk do të ishim këtu”, tha ajo për lëvizjen popullore të nisur në përgjigje të ndërtimit të resortit në zonat ekologjikisht të ndjeshme të shtetit ballkanik. “Studentët po shprehin zhgënjimin e njerëzve që mendojnë se nuk janë dëgjuar”.
Artikulli evidenton gjithashtu kundërshtimet e organizatave mjedisore, të cilat argumentojnë se ndërtimi rrezikon biodiversitetin dhe ekosistemin e zonës, ndërsa vlerësimi i ndikimit në mjedis nuk mund të kryhet në mënyrë të plotë brenda një periudhe të shkurtër.
Sipas raportimit, projekti dhe shqetësimet më të gjera për demokracinë, standardet e jetesës dhe arsimin janë bërë pjesë e pakënaqësisë që ka nxitur protestat në Shqipëri.
Nga ana tjetër, Rama ka mbrojtur projektin si mundësi për zhvillimin ekonomik dhe turistik të vendit, duke kundërshtuar akuzat e Strik dhe duke dënuar dhunën gjatë protestave./teve1.info/




