Kryeministri i Francës Sébastien Lecornu ka thënë se u ka kërkuar autoriteteve rajonale të vendosin orë policore të pjesshme në disa qytete, pasi qeveria pranoi se policia kishte “humbur kontrollin” në disa vende gjatë protestave të dhunshme të fundjavës në të gjithë vendin.
Lecornu tha pas një takimi urgjent të kabinetit të hënën se ishte “plotësisht i vendosur për të rivendosur rendin publik” dhe kishte bërë thirrje për shtetrrethime “lokale dhe të pjesshme” nëse do të ishte e nevojshme.
Ai shtoi se “nuk kishte asnjë dyshim” për vendosjen e një shtetrrethimi të plotë në qytete të tëra si Parisi, sipas Guardian.
Lecornu u tha gazetarëve se nëse shpallja e gjendjes së jashtëzakonshme konsiderohej e nevojshme, “ne mund ta bënim këtë”, por shtoi se në këtë fazë, shtetrrethimet e pjesshme dukeshin “më të përshtatshme”. Ai nuk tha se në cilat qytete ose çfarë forme do të merrte shtetrrethimi.
Komentet e tij erdhën pasi ministri i brendshëm i Francës pranoi se policia “humbi kontrollin” në disa qytete gjatë protestave të së shtunës dhe presidenti, Emmanuel Macron , kërkoi një rishikim të plotë të sigurisë dhe “metoda të reja operative” për t’i dhënë fund trazirave.




