Boksieri britanik Daniel Dubois ka mbrojtur titullin e botës në kategorinë e rëndë të WBO-së, pasi mposhti Fabio Wardley me ndërprerje teknike në raundin e dytë, në duelin e zhvilluar në arenën O2 në Londër.
Dubois e nisi përballjen me intensitet të lartë, duke e rrëzuar Wardley-n në tapet vetëm 17 sekonda pas fillimit të meçit, me një goditje të fuqishme të drejtë me të djathtën.
Wardley arriti ta përfundonte raundin e parë, por nuk mundi t’i rezistonte presionit të vazhdueshëm të kampionit. Në raundin e dytë, Dubois e vendosi sërish kundërshtarin në vështirësi me një seri goditjesh, derisa trajneri i Wardley-t hodhi peshqirin, duke kërkuar ndërprerjen e duelit.
Kjo ishte fitorja e dytë radhazi e Dubois ndaj Wardley-t, vetëm pesë muaj pas përballjes së tyre të parë në Mançester, kur Dubois triumfoi pas 11 raundesh, në një duel të luftuar fort.
Me këtë fitore, 29-vjeçari e çoi bilancin e tij profesionist në 24 fitore, prej të cilave 23 me nokaut, dhe tri humbje.
“Fabio është një djalë i shkëlqyer, por kjo ishte koha dhe epoka ime. Që nga fillimi kisha qëllime të qarta dhe synoja të tregoja forcën time”, deklaroi Dubois pas meçit.
Në anën tjetër, Wardley, 31 vjeç, pësoi humbjen e dytë në karrierën e tij profesioniste, e cila numëron 23 meçe.
Ai pranoi se nuk ka arsye të turpërohet nga humbja, duke theksuar se gjithmonë ka zgjedhur të përballet me kundërshtarët më të fortë në boks.
Fitorja e forcon pozitën e Dubois mes boksierëve më të mirë aktivë në kategorinë e rëndë. Pas përfundimit të duelit, në ring hyri edhe boksieri kroat Filip Hrgovic, me të cilin Dubois mund të përballet sërish në të ardhmen.
Britaniku ka shprehur dëshirën për meçe të mëdha dhe përballje që do t’i sjellin mundësi të reja sportive dhe financiare.
Për Wardley-n, dy humbjet radhazi përbëjnë një goditje të rëndësishme, por rrugëtimi i tij mbetet i veçantë: ish-konsulenti i rekrutimit, i cili kishte zhvilluar vetëm katër meçe amatore në boksin joformal para se të bëhej profesionist në vitin 2017, arriti të bëhej kampion bote brenda më pak se një dekade.










