Rifat Jashari është ndër të parët që mbërrin në ceremoni.
Përfaqësuesi i familjes heroike Jashari, po merr pjesë në dhënien e lamtumirës së fundit për një hero tjetër, Idriz Rrecajn.
Shtëpia e Kulturës “Hasan Prishtina”, me vështirësi i zuri gjithë të pranishmit.
Në ballë të vendit, u vendos fotografia e Rrecajt, trupi i të cilit u gjet në varrezën masive në Zubin Potok, 27 vjet pas luftës.
Krenarinë për jetën dhe veprën e babait e shprehu edhe djali i tij, Shpëtim Rrecaj.
Ai tha se, ndonëse ishte vetëm gjashtë vjeç kur iu vra babai, sakrifica e tij mbetet e paharruar.
“Gjaku nuk humb kurrë dhe sakrifica nuk harrohet. Isha veç 6 vjeç kur u vra babai…”, tha Shpëtim Rrecaj.
Kontributin e Rrecajt e vlerësoi lart edhe kryetari i komunës së Skënderajt, Sami Lushtaku.
Idriz Rrecajn, Lushtaku e konsideroi personalitet të veçantë.
“E di që secili ka dhimbje…”, tha Lushtaku.
Jetën dhe veprën e Rrecajt, e vlerësoi lart edhe intelektuali Vehbi Xani.
“Ai u bë lider shpirtëror i Drenicës…”, pohoi Xani.
Pas akademisë përkujtimore, u bënë edhe homazhe pranë arkivolit të Idriz Rrecajt.
Në mesin e të pranishmëve ishte edhe kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu.
Ajo la një mesazh në librin e kujtimeve.
Pas ceremonisë, mbetjet mortore të Idriz Rrecajt u varrosën në Varrezat e Dëshmorëve në Marinë të Skënderajt, ku do të pushoj përjetësisht i qetë trupi i tij.





