Protesta studentore në Tiranë ka vijuar me akte dhune dhe dëmtime të shumta në hapësirat publike dhe subjektet private.
Pas më shumë se gjashtë orësh marshimi në rrugët e kryeqytetit, protestuesit kanë shkaktuar dëme në zonën e 9 Katësheve, ku janë shkatërruar vitrina biznesesh, sinjalistika rrugore, semaforë dhe kioska, njoftojnë mediat shqiptare.
Poashtu në zonën pranë Muzeut Historik Kombëtar, një stacion autobusi është përfshirë nga flakët, të cilat janë përhapur edhe te pemët përreth.
Ndërkohë, raportohet edhe për të lënduar nga ana e policisë dhe protestuesve. Sipas njoftimit zyrtar, në Spitalin Universitar të Traumës janë paraqitur 14 persona të lënduar, mes tyre 8 efektivë policie, 4 protestues dhe 2 të mitur.
Aktualisht, në këtë spital vijojnë të marrin trajtim mjekësor 4 efektivë policie dhe 4 protestues. Sipas ministrisë, dy prej efektivëve janë në gjendje të mirë shëndetësore, ndërsa një efektiv nga Shkodra ndodhet në monitorim intensiv. Edhe katër protestuesit janë në gjendje të mirë shëndetësore.
Në protestën e ditës së tretë nuk janë përfshirë vetëm studentët, por edhe nxënës të shkollave nëntëvjeçare dhe të mesme, një pjesë e të cilëve kanë bojkotuar mësimin për t’iu bashkuar grumbullimeve në kryeqytet.
Pavarësisht thirrjeve të autoriteteve drejtuar nxënësve dhe studentëve, protestat po vazhdojnë, ndërsa situata mbetet e tensionuar.








