Kreu i PDK-së, Bedri Hamza, ka bërë të ditur në Kuvend se është takuar me kryeministrin Albin Kurti para dy ditësh. Ai njoftoi se një ditë më parë është formuar grupi punues për hartimin e strategjisë shtetërore për apelin në rastin e katërshes së UÇK-së.
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka bërë të ditur se është takuar me kryeministrin Albin Kurti, ndërsa ka njoftuar edhe për formimin e grupit punues për hartimin e një strategjie shtetërore lidhur me apelin në rastin e katërshes së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Gjatë fjalimit të tij në Kuvendin e Kosovës, Hamza tha se takimi me Kurtin është zhvilluar para dy ditësh, ndërsa grupi punues është formuar një ditë më parë.
“Unë dhe kryeministri Albin Kurti jemi takuar para dy ditësh, për çka edhe e falënderoj. Dje është formuar grup punues për strategji shtetërore për apelin ndaj katërshes së UÇK-së”, deklaroi Hamza.
Përveç këtij njoftimi, kreu i PDK-së foli edhe për procesin gjyqësor në Hagë, duke e cilësuar atë si një çështje që prek themelet e shtetit të Kosovës. Ai theksoi se institucionet duhet të tregojnë vendosmëri politike dhe pjekuri shtetërore në trajtimin e kësaj çështjeje.
Hamza përmendi gjithashtu rezolutën dhe ligjin e miratuar në Kuvend, duke thënë se këto hapa synojnë, sipas tij, garantimin e drejtësisë dhe pavarësisë nga ndikimet e jashtme.
“Ligjin nuk e kemi bërë për t’u pëlqyer, ligjin e kemi bërë për të garantuar drejtësi dhe pavarësi nga ndikimi i çfarëdo pale. Kosova nuk ka deleguar sovranitetin e vet. As Dhomave të Specializuara, as një trupi gjykues dhe as kujt tjetër”, u shpreh ai.
Kreu i PDK-së kritikoi gjithashtu ndërhyrjet dhe presionet ndaj Kuvendit, duke theksuar se ky institucion duhet të ushtrojë kompetencat e tij në përputhje me përgjegjësitë që ka.
Hamza tha se pret që ligji i miratuar nga Kuvendi të procedohet për dekretim te Presidentja e Kosovës, duke shprehur besimin se ajo do ta dekretojë atë.
Njoftimi për takimin me Kurtin dhe formimin e grupit punues vjen në një kohë kur çështja e proceseve gjyqësore ndaj ish-pjesëtarëve të UÇK-së në Hagë vazhdon të jetë temë e diskutimeve politike në Kosovë.







