Profesori i së drejtës kushtetuese dhe ish-gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese, Kadri Kryeziu, ka folur për elementet që, sipas tij, duhet të përfshijë strategjia shtetërore për apelimin e aktgjykimit dënues ndaj Hashim Thaçit, Jakup Krasniqit, Kadri Veselit dhe Rexhep Selimit nga Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.
Kryeziu, në emisionin “Info Nata” në Tëvë1, ka deklaruar se një nga çështjet që mund të trajtohen në kuadër të ankesës janë shkeljet e pretenduara gjatë procedurave gjyqësore.
“Gjatë procedurave dhe proceseve që kanë ndodhur atje ka pasur shumë shkelje. Njëra prej shkeljeve ka qenë që të pandehurit që kanë qenë atje kanë bërë disa kërkesa të tyre, mbi 42 kërkesa, të cilat asnjëra prej tyre nuk është aprovuar”, ka deklaruar Kryeziu.
Ai ka thënë se, sipas përshtypjes së tij, gjatë procesit është krijuar një qasje e padrejtë ndaj ish-krerëve, duke theksuar se faji ose pafajësia e të akuzuarve duhet të përcaktohet nga trupi gjykues, në përputhje me procedurat ligjore.
Kryeziu ka vlerësuar se për hartimin e strategjisë së apelimit është i nevojshëm bashkëpunimi ndërmjet ekspertëve juridikë vendorë dhe ndërkombëtarë, veçanërisht atyre me përvojë në të drejtën penale.
“Gjithë komuniteti juridik, më së shumti në Kosovë, por edhe miqtë tanë ndërkombëtarë, të cilët kanë ekspertizë në të drejtën penale, duhet të bashkëpunojnë në këtë drejtim. Të gjitha mendjet e ndritura të Kosovës duhet të bashkëpunojnë dhe t’i koordinojnë punët e tyre, por edhe qeveria dhe shteti, sepse është një çështje shumë e rëndësishme”, ka thënë ai.
Sipas Kryeziut, angazhimi i ekspertëve dhe koordinimi institucional janë të rëndësishëm për trajtimin e çështjes në fazën e apelimit.
Ai ka paralajmëruar se rezultati i këtij procesi mund të ketë pasoja të rëndësishme për Kosovën.
I pyetur nëse do ta ofronte ekspertizën e tij në rast se grupi punues për apelimin në Hagë do t’i kërkonte një gjë të tillë, Kryeziu është përgjigjur pozitivisht.
“Absolutisht, jam me gjithë qenien. Jam munduar në vazhdimësi dhe duhet të kemi njerëz mendje të ndritura të drejtësisë në Kosovë, ish-gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese, pastaj edhe juristë të tjerë, të cilët e kanë përcjellë situatën atje”, ka deklaruar ai.
Kryeziu ka shtuar se Kosova ka, sipas tij, potencial të mjaftueshëm profesional për të kontribuar në këtë proces dhe për të ndihmuar në trajtimin e situatës.
Ai e ka përfunduar deklarimin duke ritheksuar gatishmërinë për të kontribuar me ekspertizën e tij juridike, nëse një gjë e tillë kërkohet nga grupi punues për apelimin në Hagë.
Ndryshe, Qeveria e Kosovës, të mërkurën ka formuar grup punues për hartimin dhe bashkërendimin e strategjisë shtetërore lidhur me procedurat e Apelit para Dhomave të Specializuara në rastin e katër ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) të cilët morën aktgjykim dënues, raporton Anadolu.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se aktgjykimi i shkallës së parë është i padrejtë, juridikisht dhe moralisht, prandaj edhe theksoi se Qeveria po punon që të bëhet korrigjimi i tij në shkallën e Apelit.
Kurti tha se grupi do të kryesohet nga zëvendëskryeministri njëherësh ministër i Punëve të Jashtme dhe Diasporës në Kosovë, Glauk Konjufca, ndërsa bëri të ditur se në këtë grup do të ketë edhe përfaqësues tjerë institucional dhe parlamentar./teve1.info/










