Ish-ambasadori i Kosovës në Shqipëri, Sylë Ukshini, ka vlerësuar se protestat në Tiranë mund të kenë në prapavijë një skenar për të penguar anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
Në emisionin “Këndi i Debatit” në Tëvë1, Ukshini ka paraqitur arsyet pse mendon se protestat mund të lidhen edhe me zhvillime më të gjera gjeopolitike.
Sipas tij, Serbia po punon për të penguar integrimin evropian të Malit të Zi dhe, sipas vlerësimit të tij, një skenar i ngjashëm mund të synojë edhe Shqipërinë.
Ukshini ka përmendur gjithashtu Gjykatën Speciale, duke argumentuar se disa faktorë mund të kenë interes që faktori shqiptar të jetë i përçarë dhe Shqipëria të përballet me paqëndrueshmëri politike.
“Unë mendoj se këto protesta kanë në prapavijë edhe një skenar për të penguar anëtarësimin e Shqipërisë në BE. Absolutisht, ka kundërshtarë. E dimë shumë mirë se edhe në rastin e Malit të Zi, Serbia po punon për të penguar integrimin e tij në Bashkimin Evropian. Një skenar tjetër, sipas meje, lidhet edhe me Gjykatën Speciale, sepse këto demonstrata vijnë në një kohë kur faktorë të caktuar dëshirojnë që faktori shqiptar të jetë i përçarë, pra që Shqipëria të jetë e destabilizuar dhe Kosova e përçarë, pa kohezion të brendshëm. Në fund të fundit, askush nuk na ka faj nëse nuk arrijmë ta stabilizojmë vetë situatën tonë”, ka deklaruar Ukshini.
Ai ka theksuar se, sipas tij, anëtarësimi i Shqipërisë në NATO dhe në Bashkimin Evropian nuk pranohet lehtësisht nga disa shtete.
Megjithatë, ai ka shtuar se këto pretendime nuk e përjashtojnë përgjegjësinë e qeverisë shqiptare për qeverisjen, korrupsionin dhe arrogancën, siç i ka cilësuar ai.
“Mos harroni se anëtarësimi i Shqipërisë në NATO dhe në BE nuk pranohet lehtësisht nga disa shtete. Kjo nuk është fshehtësi. Natyrisht, kjo nuk e amniston keqqeverisjen, korrupsionin dhe arrogancën e Edi Ramës”, ka shtuar ai.
Duke komentuar incidentet e regjistruara gjatë protestës në Tiranë, ish-ambasadori ka vlerësuar se Policia mund t’i ketë tejkaluar masat gjatë ditës së mëparshme, por se protestuesit, sipas tij, nuk kishin arsye të përdornin dhunë ndaj institucioneve.
“Unë mendoj që policia shqiptare me gjasë dje kaloi masat, pra kaloi pak kufirin, por sot policia shqiptare është tërhequr dhe unë mendoj që demonstruesit sot pa arsye kanë përdorur dhunën ndaj institucioneve. Ti mund të demonstrosh, por duhet të jesh i kujdesshëm”, ka përfunduar Ukshini./teve1.info/









